Blog

Fillimi i sezonës 2016 në Gurin e Zi 2536m, Brezovicë, 21 shkurt 2016

Përshëndetje dashamirë të ecjes dhe Hiking Njerit !

Të Dielën më 21 shkurt 2016, shoqata jonë organizoi ecjen e parë në vitin 2016. Për shkak të dimrit të butë dhe motit të pazakontë me pak rreshje, shoqata jonë vendosi që ecjet e këtij viti të fillojnë në shkurt. Që nga fillimi i ekskurzioneve tona në vitin 2004, kjo është hera e parë që fillojmë kaq heret. Gjithashtu, edhe kërkesa e madhe e të interesuarve ndikoi që ne të fillojmë në këtë periudhë.

Ecjen vendosëm ta bejmë në majën më të lartë në Brezovicë, Guri i Zi, e cila kapë lartësinë 2536m. Maja Guri i Zi është njëra nga 3 majet më të larta të Brezovicës dhe si të gjitha majet e vargmalit të Sharrit, gjendet në kufi me Maqedoninë. Dy majet tjerat janë Maja e Livadheve 2497m dhe Piribregu 2524m. Në fund të vitit 2015 kemi qenë në majen e Piribregut me një grup prej 150 bjeshkatarëve. Ishte mot i bukur me diell por me shumë borë. Pasi u ngjitem në Maje të Piribregut e pamë Gurin e Zi, i cili shkëlqente nën rrezet e forta të diellit. Shumica prej stafit tonë organizativ vendosëm që në rastin e parë, ta pushtojmë atë maje në kushte dimri. Ashtu edhe u bë. Ecjen e parë në 2016 e hapëm me këtë rutë. Pasi në Brezovicë gjendet teleferiku, në këtë ecje vendosëm ta shfrytezojmë atë në menyrë që të blejmë kohë. Guri i Zi gjendet në pjesën e djathtë të Brezovicës dhe për të arritur atje nevoitet ecje më e gjatë në krahasim me 2 majet tjera.

Nisjen nga Prishtina me autobus e bëmë në orën 0615 dhe arritem në Ferizaj për ti marrë bjeshkataret nga aty në orën 0700. Në autobus ishim gjithsejt 58 persona. Me neve me 3 vetura erdhen edhe 12 persona kështu që totalisht ishim 70 bjeshkatarë. 

Sapo mbërrijtem te parkingu i ski qendrës e pamë që në maje të Brezovicës fryente një erë e fortë. Ishte mot me diell por në kurrizin e bjeshkës shifej se si era mbante borën përpjetë. U rigrupuam te kafeneja "Che Fox" dhe u bëmë gati që të ngjitemi me teleferik. Para nisjes, 5 persona vendosën që të mbesin poshtë pasi nuk i kishin marrë paisjet adekuate dimërore, por ndoshta edhe për arsyje tjera. Sapo arrijtem në maje të liftit e vërrejtëm erën e fortë por moti ishte me diell. Pas fjalimit të shkurtë nga organizatori Ben Islami, grupi i përbëre nga 65 bjeshkatare u nis drejt majës kah kurrizi nën Piribreg. Interesant, bora nuk ishte e thellë por as e lagësht. Pamjet ishin mahnitëse. Shifej fronti i reve masive, i cili i afrohej bjeshkëve të Sharrit. Loja e reve disi i bënte pamjet me atraktive gjatë fotografimit. Gjithashtu, era e cila e bante borën i bënte fotografitë edhe më interesante.

Kah ora 11 arritëm te qafa e Piribregut, vendi, prej të cilit duhet të ktheheshim në të djathtë kah Guri i Zi.Vështërsia kryesore e kësaj pjese është se prej aty duhej lëshuar poshtë, në mënyrë që të ngjiteshim prapë përpjetë kah caku. Aty përjetuam erën ekstreme me shpejtësi rreth 100 km/h.  Bjeshkatarët fillestarë dhe ata pa paisje elementare filluan ta vënë në dyshim vazhdimin kështu që kah mesi i rrugëtimit vendosën të kthehen. Ata prapa tek lifti i përcolli guida jonë ndërsa ne të tjerët vazhduam. Te kurrizi, i cili lidhë Piribregun me Gurin e Zi përjetuam erën më të fortë ndonjëherë. Ishte mbi 100 km/h por edhe e ftohtë. Në këtë pjesë edhe një grup prej 20 personave vendosi të kthehet. Për në maje vazhduam 30 persona dhe të gjithë mbërrijtëm mirë. Interesant ishte fakti që në maje të Gurit të Zi era ishte më e butë por edhe më ngrohtë. 

Në maje ndejtëm rreth 20 minuta dhe këtë kohë e shfrytëzuam për fotografi. Duke u lëshuar prapa, era filloi të bëhet edhe më e fortë dhe pamja të kufizohej dukshëm. Zbritja disi na u duk më e vështirë per shkak të përkeqësimit të motit por të gjithë arritëm shëndosh e mirë te maja e liftit. Pas arritjes, të gjithë zbritëm me lift deri poshtë te ski qendra e cila ishte si një botë tjeter. Skitarët skijonin, era ishte afër zeros ndërsa të tjerët kënaqeshin me muzikë nga DJ-të para Che Foxit. Pas kthimit vendosëm që t'i kalojmë edhe disa orë në Brezovicë për të ngrëne dhe pushuar. Ecja e parë në vitin 2016 perfundoi me sukses dhe të gjithë u ndanë të kënaqun, perfshirë edhe fillestarët.

Deri në ecjen tonë të ardhshme, Jetoni ne Maxximum !

Kliko ketu per ta shiquar albumin

Comments